Konfindustria kërkon marrjen e masave të
jashtëzakonshme dhe të shpejta në sektorin e ndërtimit për përballimin e
tragjedive të ngjashme me tërmetin e Turqisë të vitit 2023 dhe të vitit 2019 në
Shqipëri. Mungojnë pothuaj krejtësisht të dhënat për veprimet e domosdoshme nga
agjensitë ekzekutive si mësim për të mos përsëritur gabimet, që rënduan shumë
pasojat e tragjedisë së tërmetit të vitit 2019. Përgjegjësi të qartë ka edhe
sistemi i drejtësisë me faljet e dhëna të personave dhe subjekteve përgjegjëse
te tragjedisë me shprehje të qartë të subjektivizmit dhe korrupsionit.
Konfindustria shpreh shqetësimin, se ende
në Shqipëri punohet me standarte antisizmike ligjore të para 50 viteve. Për më
shumë, standartet e tejkaluara antisizmike dhe të lëndëve të para të përdorura
në ndërtim, shoqërohen edhe me problematika të theksuara të moszbatimit të tyre
në praktikë, mungesës së kontrolleve dhe lëshimit të lejeve të shfrytëzimit nga
pushtetet vendore në kushtet e subjektivizmit, paaftësisë dhe korrupsionit.
Konfindustria vlerëson, se në Shqipëri pas
tërmetit shkatërrues të vitit 2019 po përsëriten të njëjtat praktika korruptive
të mosfunksionimit të shtetit ligjor sikurse edhe në Turqi. Praktikisht të
gjitha kompanitë, agjensitë qëndrore dhe vendore, inxhinierët, etj., të ndaluar
si përgjegjës të tragjedisë, me pasoja të pallogaritshme në humbje jete dhe
dëmet ekonomik të tërmetit të vitit 2019, kanë fituar pafajsinë nga sistemi
drejtësisë dhe vazhdojnë lirshëm aktivitetin e tyre të biznesit. Mungon
raportimi publik, se cilat janë kompanitë dhe personat, që janë dënuar
penalisht dhe financiarisht, liçencat e hequra, shkarkimet nga administrata
qëndrore dhe vendore, faljet e kryera të përgjegjësve të tragjedisë së tërmetit
të vitit 2019, etj.
Konfindustria vlerëson, se përvec rrezikut
të përsëritjes së fatkeqësive njerëzore, ekonomike dhe financiare si pasojë e
lejimit të vazhdimit të biznesit nga kompanitë e ndërtimit përgjegjëse
tragjedisë së tërmetit të vitit 2019, kemi edhe prishje të qartë të parimit të
konkurencës ne treg në dëm të kompanive të rregullta.
|