Konfindustria, duke u nisur nga ngjarja e rëndë
e ndodhur në plazhin e Velipojës si dhe disa ngjarje të tjera të papranueshme në
bregdet dhe pjesë të tjerat të vendit, kërkon marrjen e masave të jashtëzakonshme
dhe të shpejta ndaj individëve dhe institucioneve përgjegjëse, që me paaftësinë,
korrupsionin dhe subjektivizmin e tyre po dëmtojnë rëndë industrinë turistike dhe
ekonominë kombëtare në tërësi. Përndryshe rrezikojmë, që jo vetëm të dëmtohet viti
turistik 2021, por edhe në afatgjatë të preket industria turistike në shkallë
vendi.
Konfindustria vlerëson, se Agjensia Kombëtare
e Bregdetit, që duke filluar nga viti 2020, është përcaktuar ligjërisht për
menaxhimin e hapsirës bregdetare, duhet të shpjegojë arsyet dhe të nxjerri përgjegjësit,
se përse edhe në fund të muajit qershor në fillimin e pikut të sezonit, nuk ka
përfunduar ndarja e hapsirave ranore për bizneset turistike. Pikërisht, arsyet
të lindura nga korrupsioni dhe paaftësia e agjensive shtetërore, shërbejnë në
masë të madhe edhe si shkak për lindjen e përballjeve të papranueshme me humbje
deri jetësh njerëzore në kulmin e sezonit turistik.
Konfindustria vlerëson, se industria
turistike është me rëndësi thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë
kombëtare. Si e tillë është e domosdoshme, që të ndryshohen dhe përmirësohen
thebësisht të gjitha politikat zhvilluese, burimet e financimit, standartet dhe
rregullat e menaxhimit të industrisë turistike dhe gjithë aktorëve të saj.
Politikat e deritashme e mbështetur në parimin e “laissez-faire/ bë cfarë të
duash”, paaftësi të përgjithshme dhe korrupsion në sektorin e ekonomisë
turistike shqiptare duhet të marrë fund.
|