Konfindustria mbështet dhe vlerëson si ngjarje
me rëndësi strategjike themelimin e Bursës Shqiptare të Energjisë/ALPEX dhe kërkon
fillimin sa më të shpejtë të punës me kapacitet të plotë. Bursa e energjisë, para
së gjithash, krijon kushtet për rritjen e tejdukshmërisë së prokurimeve
shitje-blerje dhe luftën kundër korrupsionit të kompanive publike të energjisë.
Përllogaritet, se dëmi i ardhur nga problematikat e korrupsionit në prokurimet
e energjisë elektrike në Shqipëri shkojnë në mbi 20% të vlerës së plotë të
transaksioneve. Gjendje e ngjashme është edhe në Kosovë.
Fillimi i punës së Bursës është me vonesë të
papërligjur me mbi 5 vite me ndikim të qartë të grupeve klienteliste të vendit
dhe të rajonit përfituese të interesuara. Tregu i energjisë elektrike është një
nga më strategjikët në ekonominë kombëtare me mbi 5% të PPB dhe me norma përfitimi
mjaft të mëdha. Vetëm në vitin 2022 qeveria e Shqipërisë financoi me mbi 500
milion euro blerjen e energjisë elektrike, përveç burimeve të veta të kompanive
publike.
Rëndësia e ALPEX rritet ndjeshëm, nëse vlerësojmë,
se është edhe i pari institucion publik i përbashkët Shqipëri, Kosovë. Të dy
shtete shqiptare janë të vetmet në Rajon, që nuk kanë patur bursë të energjisë.
Korrupsioni dhe keqmenaxhimi në shitje blerjet
e energjisë elektrike nga kompanitë publike, janë ndër arsyet e rëndësishme të
kalimit deri në shpalljen zyrtare të krizës energjitike pikërisht në vitin
20021, kur prodhimi vendor tejkaloi me mbi 6% nevojat e vendit. Gjithashtu,
mungesa e bursës ndikon negativisht në kostot e furnizimit me energji elektrike
të industrive dhe bizneseve, duke u bërë pengesë serioze edhe për liberalizimin
e tregut.
|