Konfindustria i kërkon Kuvendit të Shqipërisë,
të thërrasë në interpelancë përfaqësuesit e ekzekutivit dhe Ministrisë së Financave
dhe Ekonomisë/MFE për të arsyetuar publikisht, se përse borxhi ri prej 600
milion euro realizuar në qershor 2023 u emetua në tregjet ndërkombëtare, duke
anashkaluar tregun e brendshëm financiar.
Është e rëndësishme të shpjegohet nga
ekzekutivi, se përse u morr vendimi për shtimin me 100 milion euro nga
planifikimi vjetor i masës së borxhit dhe përse operacioni nuk u krye brenda
tregut financiar vendor. Marrja e eurobondit në tregun e huaj i ka kushtuar
edhe disa dhjetra milionë euro kosto buxhetit të shtetit për shkak të
komisionit të dhënë kompanive konsulente të huaja.Konfindustria vlerëson, se është
e domosdoshme, që të paraqiten të gjitha arsyetimet dhe analizat e plota
ekonomike dhe financiare, që e kanë shtyrë ekzekutivin shqiptar të marri vendimin
e sipërpërmendur.
Në depozitat bankare vendore në maj të vitit
2023 në vazhdim, kemi një stok në vlerën e pothuaj 7 miliard euro gjëndje. Në
shkurt të vitit 2023, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, depozitat në
monedhën europiane vlerësoheshin në 6.4 miliard euro. Këtu nuk përmenden edhe masa
të mëdha në euro, që ndodhen jashtë sistemit bankar, që mund të arrijnë
gjithashtu në miliarda euro shtesë.
Rrymat e fuqishme në vlerë të lartë të hyrjes
së monedhës së BE në Shqipëri e kanë zhvleftësuar euro-n në mbi 13% brenda pothuaj
1 viti kundrejt Lek-ut.
Konfindustria, ka shprehur shqetësimin e saj për
ndikimin e fortë negativ të fuqizimit të Lek-ut kundrejt euros në disa prej
kategorive të rëndësishme të biznesit në vend. Janë prekur sektorë të rëndësishëm
të ekonomisë vendore, kryesisht prodhues dhe eksportues, si industria e
manifakturës, tekstile, këpucë, prodhime bujqësore, agrobujqësore, të shërbimeve
më pakicë, etj.. Një pjesë e madhe e tyre rrezikohen deri me falimentim dhe/ose
largim nga vendi. Banka e Shqipërisë nuk ka ndërhyrë në tregun e valutave dhe nga ana e Qeverisë
shqiptare ndihma për sektoret e prekur ka qenë e papërfillshme dhe pa ndikim. Gjithashtu,
fuqizimi jonormal i Lek-ut ka fuqizuar ndjeshëm importet.
Konfindustria vlerëson, se në kushtet e sipërpërmendura,
marrja borxh brenda tregut vendor jo vetëm ishte e mundshme për tu siguruar në
vlerën ë kërkuar, pa prodhuar pasoja anësore ekonomike, por gjithashtu do ishte
një instrument i arsyeshëm, që do të jepte frymëmarrje edhe për tregun monetar,
ndihmë e drejtëpërdrejtë për kategoritë e mësipërme të biznesit dhe ekonominë
kombëtare dhe kursimin e buxhetit të shtetit me dhjetra milionë euro komisione ndërmjetësimi.