Konfindustria i kërkon Kuvendit të Shqipërisë
të thërrasë në seancë urgjente dëgjimore Entin Rregullator të Energjisë/ERE, për
të arsyetuar vendimin e fundit për fashën e konsumit të energjisë si edhe për
problematikat e menaxhimit të sistemit për periudhën e vitit 2021 dhe 6 mujorin
e parë të vitit 2022. ERE është institucion në varësi të drejtpërdrejtë të
Kuvendit të Shqipërisë dhe është autoriteti ligjor rregullator i sistemit
energjitik.
ERE e ka për detyrim ligjor të shpjegojë publikisht
në mënyrë profesionale të hollësishme para Kuvendit të Shqipërisë arsyet
financiare, teknike dhe institucionale të sistemit energjitik, që kanë cuar në
pranimin e plotë dhe pa asnjë ndryshim nga ana e saj të propozimit të
ekzekutivit për rritjen e fortë të çmimit të energjisë elektrike. ERE duhet të arsyetojë
hollësisht lidhur me:- kostot mjaft të larta financiare të menaxhimit të
operatorëve publikë KESH, OST, OSHEE, - kostot shtesë të shitje-blerjeve e
energjisë elektrike nëpërmjet ndërmjetësve, - vazhdimin në nivele të larta të humbjeve në
sistem me mbi 21% të sasisë së përgjithshme, - zbatimin e kontratave
koncesionare të energjisë së prodhuar nga HEC- et private, - masat e marra nga
OSHEE për moslejimin e abuzimit me matjet e konsumit me fasha etj., si faktorë
përcaktues të vendimit për rritjen e fortë të çmimit të energjisë në shtator 2022.
Sipas të dhënave, në vitin 2021 sistemi
energjitik prodhoi 6,5% më shumë energji elektrike, sesa nevojat për konsum dhe
vendi kaloi në krizë energjitike të shpallur nga Kryeministri Rama. Gjithashtu,
prodhimi i përgjithshëm i brendshëm i energjisë elektrike ka tejkaluar ndjeshëm
nevojat e klientëve tariforë për 6 mujorin e parë të vitit 2022 në vazhdim.
Konfindustria vlerëson, se vendimi i ERE për
rritjen me afër 5 herë e çmimit të energjisë elektrike për konsum familjar mbi fashën
800 kw/muaj do të jetë me pasoja të rënda për 90-130 mijë familje shqiptare dhe
mw ndikim të drejtëpërdrejtë në rëndimin e klimës së biznesit dhe ekonomisë kombëtare.
Shqipëria edhe pse është relativisht e pavarur
në prodhimin e energjisë elektrike nga tregjet ndërkombëtare dhe gazi rus ka
çmimet më të larta në rajon për biznesin dhe familjarët.
|