Konfindustria kërkon ndërprerjen e
pushimeve të verës dhe mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Shqipërisë me
qëllim ngritjen e Entit Rregullator të Karburanteve/ERRK dhe si rrjedhim zhbërjen
e Bordit të Trasparencës. Kërkesa vjen pas vendimeve të njëpasnjëshme dhe të
vazhdueshme të BT në kundërshtim me interesin publik, që prodhon pasoja mjaft
të rënda në afatgjatë të krizës ekonomike, falimentime masive, papunësi,
emigracion dhe deri me rrezikun e cënimit të qëndrueshmërisë shoqërore dhe kushtetuese
të shtetit.
Konfindustria vlerëson, se nisma në fjalë
do të tregojë pikërisht integritetin e partive dhe deputetëve, që mbrojnë interesin
publik, janë të pakapur nga karteli i karburanteve dhe interesat afatshkurtëra
politike.
Vendimet e BT në thelb janë “taksë speciale
shtesë” për bizneset dhe qytetarët, që rrit artificialisht të ardhurat në
buxhetin e shtetit dhe favorizon qartësisht kontrabandën masive të karburanteve.
Vendimi i fundit i BT i datës 27/8/2022 ka
thelluar më tej ndryshimin në çmimin e naftës, që bizneset dhe qytetarët
shqiptarë duhet të paguajnë krahësimisht shteteve të Rajonit. Sot nafta/diezel në
Shqipëri është përkatësisht afërsisht 33% dhe 25% më e shtrenjtë sesa në Malin
e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, që furnizohen në të njejtat tregje
ndërkombëtare. Bizneset dhe qytetarët shqiptarë paguajnë 0.5-0.6 euro/litër më
shtrenjtë naftën sesa shtetet e sipërpërmendura. Shqipëria, përpara rritjes së
fundit të çmimeve, ishte vendi i 11 në renditjen botërore për shtrenjtësinë
krahësimore të karburantit.
Konfindustria rikërkon nga deputetët e të
gjitha partive pa dallim, që në sesionin e jashtëzakonshëm të Kuvendit, të
marrin nismën ligjore për themelimin e ERRK, si agjenci e përhershme, profesionale,
në varësi të Kuvendit dhe sipas modeleve të suksesshme të rajonit. Bordi i
Trasparencës është ndërtuar dhe funksionon në kushtet e konfliktit të pastër
dhe flagrant me interesin publik. Gjysma e antarëve të tij, që furnizojnë me të
dhëna dhe janë pjesë e vendimarrjes, përfaqësojnë pikërisht kompanitë, që duhet
të jenë subjekt i vëzhgimit për spekullime në treg.
|