Z. Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm
i Konfindustrisë zhvilloi një takim të rëndësishëm institucional me z. Lulzim
Basha, Kryetar i Partisë Demokratike. Në
takim merrnin pjesë gjithshtu përfaqësues të nivelit të lartë të palëve.
Takimi u përqëndrua në shkëmbimin e
pikpamjeve lidhur me gjëndjen ekonomike, të klimës së biznesit, të industrive,
prodhimit vendor, etj. si edhe problematikave të menaxhimit të krizës kundër
pandemisë së Covid 19 dhe pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019. Vend i rëndësishëm u kushtua edhe zhvillimeve
të fundit politike dhe zgjedhore në vend.
Z. Buxhuku bëri një paraqitje të plotë të
problematikave shqetësuese me të cilat përballen kategoritë e industrive në
vend si edhe shkaqet kryesore të prodhimit të tyre. Ekonomia shqiptare kishte
treguar shenja të qarta të dobësisë së theksuar edhe përpara pasojave të fatkeqësive
natyrore të fundit. Shqetësuese janë mungesa e politikave ekonomike efektive, prania
e tregjeve të mbyllura, sidomos në sektorët strategjikë, shprehur në cmimet e
larta të karburanteve, energjisë elektrike, telekomunikacionit, aeroportuale, ushqimeve,
etj., rritja e pakontrolluar e borxhit publik, shpenzime buxhetore pa studime shoqëruese,
prokurime fiktive, me shenja të qarta të mungesës së garës dhe subjektive, politika
fiskale populiste, prania në shtim e flukseve të parave me burim të panjohur,
pastrimi i parave, që nxisin informalitetin dhe godasin konkurencën e ndershme sidomos
në industritë, politika tregtare kundër prodhimit vendor, etj. Si shqetësime të
prekshme të industrive u paraqitën edhe ndryshimet e shpeshta të legjislacionit
ekonomik, fiskal dhe deri në prekje nga pala shtetërore të sigurisë ligjore të
marrëveshjeve të lidhura me biznesin.
Gjithashtu, nga Z. Buxhuku në takim u
theksua, se dy nismat e fundit të ekzekutivit respektivisht për faljen fiskale dhe
ligjërimin e prodhimit të kanabisit farmaceutik nuk mund të vazhdojnë pa marrë
domosdoshmërisht miratimin paraprak të BE dhe partnerëve strategjikë. Në të
kundërt jo vetëm rrezikohen qëllimet e shpallura ekonomike dhe financiare të ndërmarrjes
së nismave në fjalë, por mund të preken drejtpërdrejt edhe proceset e
integrimit të vendit në BE, detyrimet e Shqipërisë në aleancat euro-atlantike,
deri edhe te prekja e interesave kombëtare parë zhvillimet e fundit në Kosovë.
Pjesëmarrës të industrisë energjitike të
shoqatës AREA si pjesë e associjuar e Konfindustrisë, ngritën shqetësimin e
prekjes së thellë të sigurisë ligjore nga vendimet e fundit të entit
rregullator përgjegjës dhe Këshillit të Ministrave. Vendimet në fjalë jo vetëm prekin
seriozisht projektet e investimeve të parashikuara, dëmtojnë klimën e biznesit
dhe imazhin para investitorëve të huaj, por rrezikojnë përballjen e vendit me
penalizime mjaft të rënda nga Gjykatat Ndërkombëtare.
Z. Basha në emër të forcës politike, që përfaqëson,
paraqiti shtyllat kryesore të platformës ekonomike të Partisë Demokratike, që është
duke u përgatitur për zgjdhjet e afërme të përgjithshme të vitit 2021. Z. Basha u zotua, që në platformën ekonomike të
Partisë Demokratike do të merrte parasysh të gjitha këshillat dhe kërkesat e Konfindustrisë
të shprehuara edhe në takim si dhe biznesit në përgjithësi, që shkojnë në
interes publik. Siguria ligjore e marrëveshjeve, politika të reja ekonomike
antimonopol, antidumping në mbrojtje të industrive dhe prodhimit shqiptar, politika
fiskale të qëndrueshme të bazuara në taksën e sheshtë 9%, etj. ishin shtyllat
kryesore të strategjisë ekonomike të PD për zgjedhjet e vitit 2021. Z. Basha kërkoi
zyrtarisht pjesëmarrjen e Konfindustrisë në mbështetje të grupeve të punës në pëgatitjen
e platformës ekonomike të PD dhe u zotua për bashkpunim afatgjatë të dyanshëm edhe
në procesin e zbatimit në rast të ardhjes në pushtet.
Z. Buxhuku u shpreh, se Konfindustria është e gatshme të bashkpunojë
me të gjitha forcat politike në vend si dhe të japi të gjitha ndihmesën
profesionale të duhur për të përgatitur programe ekonomike, financiare,
fiskale, tregtare, institucionale, që ndihmojnë zhvillimin e qëndrueshëm të
vendit, industritë dhe mirëqënien e qytetarëve shqiptarë.
Në këtë kuadër Z. Buxhuku paraqiti për herë të parë nismën e
Konfindustrisë për ndërtimin e Strategjisë Kombëtare për Ri-Industrializimin e
Qëndrueshëm të Ekonomive të Shqipërisë dhe Kosovës në kushtet integrimeve në BE
dhe zhvillimeve globale, duke kërkuar njëkohësisht mbështetjen e Partisë
Demokratike, sikurse do tu kërkohet gjithë forcave politike në vend, në përgatitjen
dhe zbatimin në praktikë të saj.